Nga e-Albania te karta biometrike, si ndryshon procedura për lejet e qëndrimit për të huajt
Ministria e Brendshme ka miratuar procedura të reja për lëshimin dhe administrimin e lejeve të qëndrimit për shtetasit e huaj në Shqipëri, duke kaluar procesin kryesisht në sistem elektronik dhe duke forcuar përdorimin e kartave biometrike.

Udhëzimi i ri, që hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, përcakton rregullat për lëshimin, refuzimin, ripërtëritjen dhe anulimin e lejeve të qëndrimit për të huajt, duke unifikuar procedurat mes strukturave të migracionit dhe sistemeve elektronike shtetërore.
Procedura nis me regjistrimin e aplikimit në sistemin FER-TIMS nga strukturat e migracionit, ku verifikohen të dhënat personale të aplikantit dhe krahasohen me informacionet në sistemin TIMS dhe portalin e-Albania. Në rast mospërputhjesh, autoritetet kryejnë korrigjimet përkatëse përpara vijimit të procedurës.
Pas regjistrimit të saktë të aplikimit dhe arkivimit elektronik të dokumenteve, aplikanti pajiset brenda një dite pune me lejen provizore të qëndrimit në formë elektronike.
Refuzim që në fazën paraprake
Udhëzimi parashikon që kërkesat për leje qëndrimi mund të refuzohen që në fazën paraprake nëse nuk plotësojnë kriteret ligjore të përcaktuara.
Vendimi për miratimin ose refuzimin merret nga autoritetet qendrore për kufirin dhe migracionin, ndërsa strukturat vendore kryejnë regjistrimin dhe autorizimin përfundimtar në sistem.
Në rast miratimi, shtetasi i huaj njoftohet online dhe më pas duhet të regjistrojë adresën e banimit pranë gjendjes civile, si edhe të kryejë pagesën për kartën biometrike të qëndrimit.
Karta biometrike dhe procedurat online
Aplikimi për dokumentin biometrik bëhet pranë zyrave të migracionit, ndërsa më pas dokumenti prodhohet dhe shpërndahet sipas procedurave të përcaktuara.
Për ripërtëritjen e lejeve ekzistuese ndiqet e njëjta procedurë si për aplikimet fillestare. Për disa kategori shtetasish me leje qëndrimi të tipit A, sistemi do të njoftojë automatikisht edhe sistemin e-Visa dhe Shërbimin Kombëtar të Punësimit.
Sa i përket vlefshmërisë, për lejet e para afati nis nga data e pajisjes me lejen provizore, ndërsa për rinovimet afati fillon menjëherë pas skadimit të lejes ekzistuese. Lejet e përhershme të qëndrimit të tipit C do të kenë vlefshmëri 10-vjeçare.
Kur anulohet leja e qëndrimit
Udhëzimi përcakton edhe rastet kur lejet mund të refuzohen ose anulohen.
Nëse konstatohet se aplikanti nuk plotëson kushtet ligjore, autoritetet regjistrojnë vendimin e refuzimit në Regjistrin Kombëtar Elektronik për të Huajt.
Leja e qëndrimit mund të anulohet edhe pasi është lëshuar, nëse rezulton se dokumentacioni është i pavlefshëm ose janë shkelur kushtet ligjore të qëndrimit në Shqipëri.
Dokumenti parashikon gjithashtu procedura të posaçme për “lejen unike” të disa kategorive të shtetasve të huaj, ku përfshihet edhe shqyrtimi nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Komisioni i Ankesave.
Me udhëzimin e ri, qeveria synon të rrisë përdorimin e shërbimeve elektronike dhe komunikimit online me aplikantët, duke reduktuar procedurat fizike dhe duke unifikuar trajtimin administrativ të shtetasve të huaj në Shqipëri.
Burimi: Ekofin.al
Më të lexuarat






k.jpg)